Konfirmohen raste pozitive me COVID-19 në Kombëtaren U21, një ditë para ndeshjes me Andorën

Konfirmohen raste pozitive me COVID-19 në Kombëtaren U21, një ditë para ndeshjes me Andorën
Eurolinda Zenelaj

12.10.2020 / Sport

Disa futbollistë të ekipit kombëtar U21 të Kosovës kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus, në prag të ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Evropian 2021 kundër Andorrës.

Kosova e pret nesër Andorrën në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në një ndeshje kualifikuese të Grupit 3.

Trajneri i Kosovës Rafet Prekazi e ka konfirmuar lajmin për rastet me Covid-19 në skuadrën e tij.

“Po, është e vërtetë se ka raste pozitive”, ka deklaruar Prekazi për Kosovapress.

Ai ka konfirmuar  se edhe vetë është vetizoluar dhe ka shmangur çdo kontakt me persona tjerë.

Nuk dihet ende numri i saktë i personave të prekur me koronavirus në skuadër.

Dardanët duhej ta mbanin sot pasdite stërvitjen e fundit para takimit të nesërmen dhe nuk dihet nëse ajo do të zhvillohet.

Kosova e ka humbur tashmë mundësinë për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian U21, pasi ngel e parafundit në grup me vetëm gjashtë pikë, 13 pikë më pak se liderja Anglia.

Në takimin e kaluar në grup, Kosova e mundi 4:0 Andorrën. 

RAPORTO