Kompletohen nëntë përballje të fazës së 1/16 së finales në Kupën e Botës

27.06.2026

Faza e grupeve e Kupës së Botës po shkon drejt fundit, ndërsa tashmë janë konfirmuar nëntë nga 16 përballjet e fazës së 1/16 së finales.

Sfida që pritet të tërheqë vëmendjen më të madhe është ajo mes Francës dhe Suedisë, ndërsa një tjetër duel i fortë do të jetë përballja mes Holandës dhe Marokut.

Në ndeshjet e tjera, Brazili do të luajë kundër Japonisë, Gjermania përballet me Paraguain, ndërsa Argjentina do të sfidojë surprizën e këtij Botërori, Kepin e Gjelbër (Cape Verde).

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njëra nga vendet organizatore, do të kenë përballë Bosnjë e Hercegovinën, ndërsa Kanadaja do të ndeshet me Afrikën e Jugut.

Ndërkohë, Egjipti, që për herë të parë ka siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Kupës së Botës, do të përballet me Australinë, kurse Norvegjia do të luajë kundër Bregut të Fildishtë.

Shtatë përballjet e mbetura të fazës së 1/16 së finales do të mësohen pas përfundimit të ndeshjeve të fundit të fazës së grupeve.