Komiteti Olimpik reagon ashpër pas heqjes dhe djegies së flamurit të Kosovës në Kongresin e UEFA-s në Beograd
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka shprehur shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me incidentin e papranueshëm të heqjes së flamurit të Republikës së Kosovës nga ambientet e Kongresit të UEFA-s, i cili u zhvillua në Beograd, Serbi.
Foto: Ilustrim
Sipas deklaratës së KOK-ut, pas heqjes së flamurit nga ambientet e Kongresit, ai ka përfunduar në duart e huliganëve, të cilët më pas e kanë djegur publikisht. KOK-u e ka dënuar ashpër këtë akt vandal, duke e cilësuar atë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj simboleve shtetërore të Kosovës dhe vlerave themelore që sporti përfaqëson.
“Edhe më shqetësues dhe i turpshëm është fakti që flamuri i vendosur në mesin e flamujve të shteteve tjera përfundoi në duart e huliganëve, të cilët më pas e dogjën përpara ambienteve ku po mbahej Kongresi. Ky akt përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj simboleve shtetërore të Kosovës, por edhe ndaj vlerave themelore të sportit: respektit, barazisë dhe përfshirjes,” thuhet në njoftimin e lëshuar nga KOK-u.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka kërkuar zyrtarisht sqarime nga organizatori i Kongresit, në këtë rast UEFA, lidhur me rrethanat që çuan në heqjen dhe më pas në djegien e flamurit. Njëkohësisht, KOK-u ka kërkuar marrjen e masave nga pala mikpritëse e këtij Kongresi, duke iu referuar Serbisë. Sipas pamjeve të publikuara, përfaqësues të vendit mikpritës dyshohet të jenë përfshirë në aktin e heqjes së flamurit gjatë punimeve të Kongresit.
Ky incident vjen në një periudhë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara. Veprimi i heqjes dhe djegies së flamurit të Kosovës në një eveniment ndërkombëtar sportiv si Kongresi i UEFA-s, shihet si një provokim i rëndë dhe minon frymën e bashkëpunimit dhe respektit reciprok që duhet të mbizotërojë në botën e sportit.