Gjilani triumfon ndaj Drenicës, Prishtina e Re shokon Prishtinën me fitore bindëse 4-1
Java e 15-të e Albi Mall Superligës ka prodhuar duele tejet interesante, ku Gjilani dhe Prishtina e Re kanë marrë fitore të rëndësishme në garën për pikë në elitën e futbollit kosovar.
Në Skenderaj, Gjilani ka shënuar fitore minimaliste 1-0 ndaj Drenicës, në një ndeshje që u karakterizua me shumë kujdes nga të dyja skuadrat, sidomos gjatë pjesës së parë ku rastet ishin të pakta. Në fraksionin e dytë loja u hap më shumë, por në fund ishin mysafirët që goditën.

Goli erdhi në minutën e 80-të, kur Senad Jarovic pas një depërtimi individual arriti të kalojë portierin Kenan Haxhihamza dhe të realizojë golin e vetëm të takimit, që njëkohësisht i dha Gjilanit tre pikë të arta. Me këtë fitore, Gjilani ngjitet në kuotën e 19 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e shtatë, ndërsa Drenica mbetet menjëherë pas tyre, në vendin e tetë me 18 pikë.
Ndërkaq, surpriza e madhe e javës u regjistrua në përballjen mes Prishtinës së Re dhe Prishtinës, ku vendasit triumfuan bindshëm me rezultat 4-1.

Vetëm 28 sekonda pas startit të ndeshjes, një autogol i Philippe Boueye i dha epërsinë Prishtinës së Re. Epërsia u dyfishua në minutën e 22-të me një supergol të Amos Dadet, duke i vënë mysafirët nën presion të madh.
Prishtina reagoi vetëm pas shtatë minutash përmes Gjelbrim Taipit, i cili ngushtoi shifrat në 2-1, por reagimi nuk ishte i mjaftueshëm. Vetëm pak minuta më vonë, Elvis Prençi shënoi me kokë për 3-1, duke e bërë më të qetë vazhdimin e takimit për skuadrën vendase.
Në pjesën e dytë, një gabim i portierit Ardit Nika rezultoi fatal për Prishtinën, pasi nga goditja indirekte e dhënë brenda zonës, Donat Hasanaj shënoi një gol të bukur për rezultatin përfundimtar 4-1.
Me këtë fitore, Prishtina mban pozitën e parë në renditje me 26 pikë, ndërsa Prishtina e Re mbetet në fund të tabelës me 12 pikë, por me moral të ngritur pas një fitoreje të madhe përballë rivalit të qytetit.