Armend Thaqi shpallet “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës” për futbollistin më të dalluar të javës në Superligën e Kosovës.
Për javën e shtatëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është dhënë Armend Thaqit të SC Gjilan, i cili pati një paraqitje të shkëlqyer gjatë 90 minutave të ndeshjes kundër FC Drita, në derbin e qytetit që përfundoi me rezultat 1:1. Thaqi shënoi një eurogol që barazoi rezultatin dhe kontribuoi në një performancë impresive për skuadrën e tij.
Vlerësimi për këtë çmim është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, duke theksuar ndikimin individual të Thaqit në këtë ndeshje të rëndësishme.
Pas marrjes së çmimit, Thaqi u shpreh për faqen zyrtare të FFK-së:
“Derbi i qytetit asesi nuk duhet të humbet dhe jam i lumtur që së paku kemi marrë një pikë. Nuk e kemi nisur shumë mirë kampionatin, ndonëse klubi ka bërë investime të mëdha dhe ka pasur një organizim shumë të mirë. Hallka që ka dështuar këtë vit kemi qenë ne, futbollistët, të cilët nuk kemi arritur të komponohemi mirë mes vete dhe duhet të marrim përgjegjësi. Aktualisht kemi filluar këndelljen me trajnerin e ri dhe nuk duhet të lëshojmë më pikë.

Në aspektin individual jam shumë i lumtur që jam shpallur “Ylli i Javës” dhe kjo i dedikohet të gjithë futbollistëve dhe mbi të gjitha tifozëve, sepse sidomos kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ta dhe luhet për ta.”
Ky çmim thekson rëndësinë e performancave individuale në Superligën e Kosovës dhe motivon futbollistët të japin më të mirën për skuadrat dhe tifozët e tyre.