Finalja e Kupës së Kosovës ndez Prishtinën, FC Prishtina dhe Llapi për trofe sonte!

22.05.2025

Sonte, emocionet e futbollit kosovar arrijnë kulmin me finalen e shumëpritur të Kupës së Kosovës, ku FC Prishtina dhe KF Llapi do të ndeshen në stadiumin “Fadil Vokrri” për trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend.

Të dyja ekipet kanë bërë një rrugë të gjatë dhe sfiduese për të arritur në këtë fazë, duke lënë pas kundërshtarë të fortë në çerekfinale dhe gjysmëfinale. FC Prishtina, me një histori të pasur trofesh, synon të shtojë edhe Kupën e Kosovës në koleksionin e saj. Ndërkohë, KF Llapi do të luftojë me mish e shpirt për ta fituar këtë trofe, veçanërisht në një moment kur ende nuk e ka siguruar plotësisht qëndrimin në Superligë.

Stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të jetë arenë e një ndeshjeje të zjarrtë, me mbështetjen e madhe të tifozëve nga të dyja palët. Pritet një duel i fortë dhe i ngushtë për të përcaktuar fituesin e Kupës së Kosovës për këtë edicion.

Ndeshja finale nis sonte në orën 20:00.