Emërllahu: Ilir Daja më ka ndihmuar shumë, e kam pritur këtë moment, e dua Ballkanin kampion

11.04.2022

Emërllahu, 19 vjeçar, futbollist i FC Ballkanit ka shkëlqyer në muajin e fundit me paraqitjet tek ekipi nga Suhareka, pasi trajneri Ilir Daja filloi t’i besonte pas lëndimit të mesfushorit, Edvin Kuc. Emërllahu ka qenë pjesë e juniorëve të Ballkanit, por pas paraqitjeve të mira – ai iu bashkua ekipit të parë (kontratë deri në […]

Emërllahu, 19 vjeçar, futbollist i FC Ballkanit ka shkëlqyer në muajin e fundit me paraqitjet tek ekipi nga Suhareka, pasi trajneri Ilir Daja filloi t’i besonte pas lëndimit të mesfushorit, Edvin Kuc.

Emërllahu ka qenë pjesë e juniorëve të Ballkanit, por pas paraqitjeve të mira – ai iu bashkua ekipit të parë (kontratë deri në vitin 2026), me ç’rast edhe fitoi besimin e trajnerit dhe me paraqitje të mira tregoi aftësitë që ai posedon.

Në ndeshjen ndaj Llapit, pas vetëm 20 minutave lojë, Kuc u dëmtua dhe në vendin e tij u inkuadrua Lindon Emërllahu, një emër jo fort i njohur në futbollin vendor, por që luajti deri në fund me angazhim maksimal – e që dukej se paraqitet qe disa vite dhe ka përvojë të madhe në Superligë, por realiteti është ndryshe, pasi ai sapo filloi dhe numëron vetëm disa ndeshje në elitën e futbollit vendor.

Mesfushori i cili luan edhe tek kombëtarja U-19, Lindon Emërllahu tha se e ka pritur këtë rast qe një kohë të gjatë, teksa shtoi se do ta shfrytëzojë çdo sekond që luan.

“E kam pritur këtë rast qe një kohë të gjatë, dua ta shfrytëzojë çdo sekond që më jipet. Ndihem mirë dhe shpresoj që ta vazhdojë këtë ecuri”, tha fillimisht Lindon Emërllahu për ‘GazetaBlic Sport’.

“Ekipi i vetëm në karrieren time është FC Ballkani, me këta bashkëlojtar, këtë trajner, e këta drejtues, mendoj që është ekipi i duhur”,vazhdoi ai.

19 vjeçari foli edhe për trajnerin e Ballkanit, Ilir Daja, të cilin e përshkroi si një motivues të madh.

“Që nga ardhja e trajnerit Ilir Daja kam pasur përkrahje të madhe nga ai – kjo më ka ndihmuar në performancat dhe zhvillimin tim, ndihem shumë mirë nën urdhërat e tij, pasi është një motivues i madh”, zbuloi mesfushori.

Në fund, ai potencoi se është koha që Ballkani të shpallet kampion i Kosovës.

“Mendoj që Ballkani është dashur të shpallej kampion edhe më herët – por fati nuk ishte me ne, tani është koha të shpallemi tani. Shpresojë që te na shkojë mirë dhe t’i gëzojmë tifozët dhe gjithë qytetin e Suharekës”, përfundoi Emërllahu.

Vlen të potencohet se Ballkani është në vendin e parë me 60 pikë, tetë më shumë se Gjilani e Drita.