Duel vendimtar në “Karagaçi”: Ylli për kualifikim, Peja për barazim
15.04.2026
Golden Eagle Ylli udhëton në Pejë për të kërkuar kualifikimin në gjysmëfinale. Të mërkurën nga ora 20:00, në palestrën “Karagaçi”, zhvillohet ndeshja e dytë çerekfinale e plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Skuadra nga Suhareka e nisi serinë me fitore dhe një tjetër sukses do ta dërgonte direkt në gjysmëfinale, ku e pret Trepça.
Megjithatë, Peja synon reagimin para tifozëve vendas për ta barazuar serinë dhe për ta çuar përballjen në ndeshjen vendimtare.
Ndërkohë, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, të enjten nga ora 19:30 përballen Sigal Prishtina dhe Bora.
Pas fitores së thellë në ndeshjen e parë, Bora hyn si favorite për të siguruar kalimin në gjysmëfinale me dy fitore radhazi.
