Bashkimi kalon Pejën dhe sfidon Trepçën në finalen e madhe
Pas një pune të palodhshme dhe një sezoni të shkëlqyer, KB Bashkimi ka arritur të sigurojë një vend në finalen e madhe të kampionatit të Kosovës në basketboll, duke mposhtur KB Pejën me rezultat të
përgjithshëm 3-1 në serinë gjysmëfinale. Kjo është hera e parë pas disa sezonesh që prizrenasit arrijnë në këtë fazë të rëndësishme të garës.
Në ndeshjen e fundit vendimtare, Bashkimi triumfoi me shifrat 78-84, duke treguar forcën dhe vendosmërinë e ekipit. Kontribut të jashtëzakonshëm në këtë fitore dhanë Wendell Green, i cili shkëlqeu me 28 pikë, 3 kërcime dhe 6 asistime, si dhe Dirk Williams, me 18 pikë, 2 kërcime dhe 1 asistim.
Në anën tjetër, te Peja u dalluan Marques Townes, me 27 pikë, 5 kërcime dhe 2 asistime, dhe Darryl Morsell, me 18 pikë, 6 kërcime dhe 4 asistime, por përpjekjet e tyre nuk ishin të mjaftueshme për të shmangur eliminimin. Kështu, Peja për të dytin edicion radhazi mbetet pa asnjë trofe.
Tashmë, Bashkimi e pret në finale KB Trepçën, në një përballje që pritet të jetë mjaft interesante dhe e luftuar për titullin e kampionit. Ndeshja e parë e finales do të zhvillohet të dielën, dhe interesi i tifozëve është i madh për këtë derbi të basketbollit kosovar.