Përfundon operacioni policor në Pejë, arrestohet R.H. për krim të organizuar dhe rrëmbim

22.12.2025

Operacioni policor i zhvilluar sot në qytetin e Pejës ka përfunduar me arrestimin e të pandehurit R.H., në bazë të një urdhri kontrolli, nën dyshimin për përfshirje në vepra të rënda penale.

Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial të Kosovës, R.H. dyshohet për kryerjen e veprave penale “Krim i organizuar” në lidhje me veprën penale “Rrëmbimi”, si dhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Aksioni policor është rezultat i një procesi të gjatë hetimor që lidhet me dyshimet për rrëmbimin e një personi, rast i cili kishte ndodhur në vitin 2021. Në këtë operacion kanë marrë pjesë njësitë relevante të Policisë së Kosovës.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka bërë të ditur se një tjetër person i dyshuar ndodhet tashmë në paraburgim.

Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit, autoritetet kanë siguruar prova relevante, të cilat pritet të shërbejnë gjatë procedurës së mëtejmë hetimore.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit R.H.