Ballkani përballet me Prishtinën, sfida më e zjarrtë e javës zhvillohet në Suharekë

12.12.2025

Superliga e Kosovës rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së 17-të, të cilat do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën.

Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar edhe orarin zyrtar të kësaj jave garuese, ku ekipet do të kërkojnë pikë të rëndësishme para fazës së dimrit.

Të shtunën, në orën 13:00, zhvillohen dy ndeshje paralele. Drenica pret Ferizajn në stadiumin “Bajram Aliu”, ndërsa në të njëjtën kohë Prishtina e Re përballet me Dukagjinin – një duel i rëndësishëm për të dy skuadrat që synojnë të ngjiten në tabelë.

Dita e diel pritet të sjellë emocione të veçanta për tifozët, pasi konsiderohet “dita e derbive”. Derbi i madh i Anamoravës zhvillohet në Gjilan, ku Drita si nikoqire pret rivalin e saj të përbetuar, Gjilanin.

Atmosferë e zjarrtë pritet edhe në Suharekë, ku kampionët e Ballkanit do të mirëpresin Prishtinën në një super sfidë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në garën për titull. Ndërkohë, Llapi në Podujevë pret Malishevën në një ndeshje tjetër të fortë të javës.

Superliga sjell një tjetër fundjavë me duele vendimtare, teksa skuadrat po hyjnë në fazën më të ndjeshme të sezonit.