Suharekë, 70 raste të dhunës në familje këtë vit, bëhet thirrje për ndërgjegjësim

para 46 dite

Mekanizmi Kundër Dhunës në Familje (MKDHF) në Komunën e Suharekës ka mbajtur takimin e tij të katërt për vitin 2024, ku është bërë një analizë e detajuar e situatës së dhunës në familje në këtë komunë.

Suharekë, 70 raste të dhunës në familje këtë vit, bëhet thirrje për ndërgjegjësim

Një nga pikat kryesore të diskutimit ka qenë rritja e rasteve të dhunës në familje në krahasim me vitin e kaluar. Komandanti i stacionit policor në Suharekë, Afrim Sylaj, ka bërë me dije se nga janari deri në nëntor të këtij viti janë regjistruar 70 raste të dhunës në familje, që paraqet një rritje prej 6 rastesh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Një pjesë e rëndësishme e takimit ka qenë e dedikuar për vlerësimin e aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të fushatës “16 ditë aktivizëm kundër dhunës në baza gjinore”. Pjesëmarrësit kanë diskutuar për efektivitetin e këtyre aktiviteteve në rritjen e ndërgjegjësimit për këtë problematikë dhe në nxitjen e raportimit të rasteve të dhunës.

Nënkryetarja e Komunës së Suharekës, Mihrije Suka, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për parandalimin e dhunës në familje. Ajo ka bërë thirrje te të gjitha institucionet dhe te çdo individ që të angazhohet në këtë drejtim. “Është kjo fushatë që nuk duhet bërë vetëm një herë në vit, por siç e ka edhe moton: sot e çdo ditë tjetër,” ka thënë Suka.

Në takimin e MKDHF-së kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme, si dhe aktivistë të shoqërisë civile. Përveç kësaj, të ftuar kanë qenë edhe drejtoreshat e drejtorive komunale dhe asambleistet femra, të cilat kanë kontribuuar me ide dhe sugjerime për adresimin e kësaj çështje.

Pjesëmarrësit në takim kanë diskutuar për hapat e mëtejshëm që duhet të ndërmerren për të luftuar dhunën në familje. Mes tjerash, është theksuar nevoja për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, për të rritur ndërgjegjësimin e publikut, dhe për të ofruar më shumë mbështetje për viktimat e dhunës.

Etiketat

Ofertat e fundit