Kryeministri Kurti përkujton 11 martirët e Dragaqinës, të cilët pasi u torturuan, u hodhën të gjallë në pus

21.04.2024

25 vjet më parë forcat serbe në vazhdën e krimeve të tyre kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, kishin tortuar dhe vrarë edhe 11 burra në Komunën e Suharekës.

Kryeministri Kurti përkujton 11 martirët e Dragaqinës, të cilët pasi u torturuan, u hodhën të gjallë në pus Foto: Ilustrim

11 burra shqiptarë, pasi i torturuan, i hodhën të gjallë në pus. Më i riu ishte 49 vjeç e më i moshuari 91 vjeç.

Më 21 prill 1999, në fshatin Dragaqinë të Therandës, forcat e armatosura të Serbisë torturuan 11 civilë shqiptarë. Pastaj i hodhën në pus. Pusin e mbushën me mbetje ndërtimore.

Trupat e tyre u gjetën pas luftës, rastësisht, kur pronari i pusit kishte filluar të pastroj pusin.

Lidhur me 25 vjetorin e vrasjes së tyre ka reaguar edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

“Kjo është edhe një dëshmi që policët dhe ushtarët e Serbisë kanë pasur urrejtje të madhe e plan të detajuar për të kryer krime kundër shqiptarëve, dhe për t’i fshehur ato. Preokupimin më të madh e kanë pasur si t’i zhdukin trupat. Hedhja në puse, djegiet, zhdukjet, rrëmbimi i kufomave, e forma të tjera ҫnjerëzore të dëmtimit dhe zhdukjes së trupave, e faktojnë këtë” ka shkruar Kurti.

I përkujtojmë sot martirët e Dragaqinës.

E kujtojmë përditë sakrificën dhe dhembjen që përjetoi populli ynë për lirinë që e gëzojmë.