KESCO: Kosova përballet me kërkesë rekord për energji, importi po rrit koston

para 57 dite

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka paralajmëruar se Kosova po kalon një periudhë të vështirë në sektorin e energjisë elektrike, me kërkesën për konsum që po arrin nivele kulmore pothuajse çdo ditë.

KESCO: Kosova përballet me kërkesë rekord për energji, importi po rrit koston

Në një njoftim zyrtar, KESCO thekson se kapacitetet e prodhimit vendor vazhdojnë të jenë të kufizuara dhe të ulëta, duke krijuar një hendek të madh mes asaj që prodhohet dhe asaj që konsumohet.

“Aktualisht, ndërsa konsumi arrin mbi 700 MË, furnizimi nga burimet vendore përbëhet nga rreth 315 MË nga termocentralet me qymyr dhe rreth 130 MË nga burimet e energjisë rinovueshme (BRRE), çka është dukshëm më pak sesa nevojat e përditshme për energji elektrike”, thuhet në njoftim.

Si rrjedhojë e kësaj situate, një pjesë e konsiderueshme e nevojave për energji po mbulohet përmes importit nga tregjet ndërkombëtare. Kjo po ndodh në një kohë kur çmimet në tregjet globale janë të larta dhe të paqëndrueshme, duke shtuar një barrë të konsiderueshme mbi sistemin energjetik të vendit.

“Kjo situatë po krijon sfida shtesë për sistemin energjetik, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e kostove të operimit dhe menaxhimit të tij”, sqaron KESCO.

Përballë kësaj situate, kompania u ka drejtuar një thirrje të fortë qytetarëve për të qenë të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm në përdorimin e energjisë elektrike, duke theksuar rëndësinë e kursimit si një mjet për të stabilizuar sistemin.

“Në këtë kontekst, i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe vetëdije në përdorimin e energjisë elektrike dhe të kontribuojnë në mënyrë aktive në kursimin e saj. Çdo kilovat i kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të sistemit dhe në përballimin më të lehtë të kësaj periudhe sfiduese”, thuhet në njoftim.

KESCO ka dhënë gjithashtu rekomandime konkrete për qytetarët, duke sugjeruar që përdorimi i pajisjeve me konsum të lartë energjie, veçanërisht gjatë orëve të pikut, të bëhet me kujdes të shtuar dhe vetëm kur është e domosdoshme.

Etiketat

Ofertat e fundit