Edhe këtë vit, blerja e teksteve shkollore do të subvencionohet nga MASHTI

30.07.2025

Edhe këtë vit shkollor, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) do të subvencionojë prindërit për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën.

Thirrja për aplikim pritet të hapet në fillim të muajit gusht, kanë bërë të ditur zyrtarë të Ministrisë.

Ministria ka theksuar se të gjithë nxënësit do të kenë kohë të mjaftueshme për t’u pajisur me tekstet dhe materialet mësimore para fillimit të vitit shkollor 2025/2026.

“Procesi dhe shpallja e thirrjes për subvencionim nga MASHTI do të publikohet së shpejti, dhe të gjithë përfituesit e kësaj skeme do të kenë kohë të mjaftueshme për t’u furnizuar me tekste shkollore dhe materiale mësimore para fillimit të vitit shkollor,” thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë dhënë për Radio Kosovën.

Megjithëse modeli i subvencionimit ka hasur në pakënaqësi nga prindërit dhe është vlerësuar si i diskutueshëm, MASHTI do të vazhdojë me të njëjtën qasje, duke synuar përmirësime në zbatimin e tij. Grupet punuese brenda ministrisë kanë analizuar përvojat e viteve të kaluara dhe kanë dalë me rekomandime për avancimin e procesit.

Sipas ministrisë, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit është duke zhvilluar modulet e reja për verifikimin e nxënësve, ndërsa roli i shkollave do të rritet për të siguruar që mjetet të shkojnë në mënyrë të drejtë te çdo përfitues dhe që furnizimi të ndodhë me transparencë të plotë.

Xhavit Rexhaj, njohës i fushës së arsimit, vlerëson se modeli aktual ka edhe përparësi edhe dobësi.

“Është një proces me disa përparësi por edhe dobësitë e veta që janë shfaqur në dy vitet e zbatimit. Pjesa që e shoh si të dobët është angazhimi i prindërve dhe shtimi i hallkave, si libraritë, në vend që librat të shpërndaheshin drejtpërdrejt në shkolla. Nga ana tjetër, një aspekt pozitiv është se tani mësimdhënësit kanë më shumë liri në zgjedhjen e teksteve,” ka deklaruar Rexhaj për Radio Kosovën.

Sipas tij, kjo qasje ka krijuar vonesa në furnizim, por ka ndihmuar në zgjedhje më të përshtatshme të literaturës mësimore nga ana e mësimdhënësve.

Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA), në raportin e saj për vitin 2024, ka evidentuar parregullsi në ndarjen e subvencioneve për blerjen e librave. Sipas ZKA-së, 154 përfitues në vlerë prej 14,150 euro kanë marrë mjete nga shteti për tekstet shkollore ndonëse ishin jashtë vendit.

MASHTI deri më tani nuk ka komentuar nëse ka marrë masa për adresimin e këtyre parregullsive, por ka premtuar se këtë vit kontrolli do të jetë më i rreptë dhe përfitimi do të bëhet vetëm nga ata që i plotësojnë kriteret.

MASHTI pritet të publikojë udhëzimet për aplikim gjatë ditëve të para të gushtit, ndërsa prindërit do të duhet të ndjekin udhëzimet elektronike për të përfituar nga skema.