Avokati i Popullit dhe OJQ “Sytë kërkojnë dritë” sjellin artin dhe përfshirjen në Suharekë

06.12.2025

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar, Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim me OJQ-në “Sytë kërkojnë dritë”, organizuan një tryezë me temën “Të komunikojmë përmes artit”, duke promovuar përfshirjen dhe shprehjen artistike të personave me aftësi të kufizuar.

Në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë u mbajt një takim i veçantë për Ditën Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar, ku pjesëmarrës ishin jo vetëm përfaqësues të institucioneve dhe organizatave joqeveritare, por edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, disa zyrtarë të tjerë komunalë, si dhe disa kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Aktiviteti u organizua nga Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me OJQ-në “Sytë kërkojnë dritë”, dhe kishte temën “Të komunikojmë përmes artit”.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi se kjo ditë kujton të gjithëve detyrat dhe përgjegjësitë për t’u siguruar që qytetarët në nevojë të trajtohen me respekt dhe dinjitet. Ai shtoi se institucioni do të vazhdojë të punojë për të mbajtur autoritetet publike përgjegjëse, duke u përkujtuar atyre për të zbatuar ligjet dhe standardet që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.

Drejtoresha e OJQ-së “Sytë kërkojnë dritë” shprehu falënderimet për të gjithë pjesëmarrësit dhe u shpreh e lumtur për mysafirët nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva dhe Turqia, që morën pjesë në këtë ngjarje.

Si pjesë e aktivitetit, u hap edhe një ekspozitë pikturash, ku prezantoheshin krijimet artistike të realizuara nga personat me aftësi të kufizuar, duke i dhënë një zë dhe një platformë për të shprehur talentin dhe kreativitetin e tyre.

Ky aktivitet vjen si një nismë për të nxitur ndërgjegjësimin dhe respektin ndaj personave me aftësi të kufizuar dhe për të theksuar rëndësinë e artit si një mjet komunikimi dhe përfshirjeje shoqërore.