Stuhi në Slloveni, erëra të forta, breshër dhe mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike
Sllovenia u përfshi pasditen e djeshme nga stuhi të forta me shi të rrëmbyeshëm, erë të fortë dhe breshër, duke lënë mijëra qytetarë pa energji elektrike dhe duke shkaktuar dëme materiale në shumë zona të vendit.
Foto: Ilustrim
Vala e parë e stuhisë goditi Slloveninë Perëndimore, përgjatë kufirit me Italinë, përpara se të zhvendosej drejt lindjes. Zonat e Bovacit dhe Kobaridit u prekën rëndë, e më pas stuhia vijoi drejt Kranjit dhe Kamnikut.
Edhe kryeqyteti, Lubjana, nuk i shpëtoi tërësisht furisë së motit. Një rrebesh i shkurtër shiu i shoqëruar me erë të fortë theu degë pemësh dhe shkaktoi dëme në disa objekte biznesi.
Zjarrfikësit e Lubjanës patën një pasdite të ngarkuar, me rreth 15 ndërhyrje, shumica e tyre në lagjen Viç. Pjesa më e madhe e ndërhyrjeve konsistonin në heqjen e pemëve të rrëzuara, të cilat kishin rënë mbi automjete ose bllokuan rrugët. Njësi vullnetare të zjarrfikësve u mobilizuan gjithashtu për të ndihmuar. Ndërhyrja e fundit u regjistrua rreth orës 19:00. Fatmirësisht, pavarësisht dëmeve materiale, nuk u raportuan të lënduar.
Pemët e rrëzuara shkaktuan gjithashtu probleme të konsiderueshme në trafik. Lëvizja u pezullua përkohësisht në disa autostrada dhe në rrugët anësore jugore dhe perëndimore të Lubjanës, duke krijuar vështirësi për drejtuesit e mjeteve.