Presidenti i Shqipërisë kalon sot transit në Kosovë, Policia njofton ndërprerje të përkohshme të trafikut

08.07.2026

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme (8 korrik) do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore, për shkak të kalimit transit nëpër Kosovë të Bajram Begaj.

Sipas njoftimit, Policia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe ka angazhuar njësitë përkatëse për të garantuar sigurinë e eskortës presidenciale, si dhe zhvillimin normal të lëvizjes përgjatë itinerarit.

Ndërprerjet e përkohshme të trafikut do të realizohen në intervale të shkurtra kohore në aksin rrugor nga Pika e Kalimit Kufitar Vërmicë deri te Pika e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë dhe anasjelltas gjatë kthimit. Në raste të caktuara, trafiku mund të riorientohet në rrugë alternative.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë mirëkuptim dhe të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë gjatë kohës së zbatimit të masave të përkohshme.