Rama i kundërpërgjigjet TikTok-ut: “Në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut!”
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një përgjigje të ashpër ndaj kërkesës së TikTok-ut për “sqarime urgjente” lidhje me vendimin për të ndaluar platformën në Shqipëri për një vit.
Foto: Ilustrim
Në një reagim të publikuar në platformën X, Rama theksoi se vendimi për të ndaluar TikTok-un nuk ishte i nxituar, por përkundrazi ishte rezultat i një konsultimi të gjatë me prindërit në të gjithë vendin.
“TikTok-u nuk ka çfarë sqarimesh të kërkojë nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTok-ut,” shkruan Rama.
Kryeministri shqiptar e cilësoi platformën si një kërcënim serioz për fëmijët dhe rininë, duke theksuar se vendimi për të ndaluar TikTok-un është marrë për të mbrojtur shëndetin e tyre.
“Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTok-un, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga Tik Toku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo plaftormë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe,” shtoi Rama.
Rama theksoi se vendimi për të ndaluar TikTok-un ka pasur mbështetjen e mbi 90% të prindërve shqiptarë.
“Fortlumturisht Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTok-ut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë: Ose vetë Tik Tok-u duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikTok-u,” shkruan Rama.