Kurti: Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë dhe së bashku i jetofshim dhe festofshim përherë

25.11.2025

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në fjalimin e tij, Kurti theksoi rëndësinë historike të datave si 22 nëntori i 1908 dhe 28 nëntori i 1912, duke i cilësuar si momente kyçe të historisë së shqiptarëve dhe të shtetndërtimit. Ai kujtoi edhe vizitën e tij në Manastir dy ditë më parë, ku u përkujtua 117-vjetori i Kongresit të Manastirit dhe vendimet për alfabetin e shqipes.

Kryeministri theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është thelluar në mënyrë konkrete, duke u shprehur se ai nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, por me përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ai përmendi realizimin e 58 marrëveshjeve vetëm në katër vitet e fundit nga gjithsej 184, rritjen e tregtisë, zhvillimin e projekteve infrastrukturore si hekurudha Prishtinë–Durrës, hapjen e zyrave doganore, njohjen e pensioneve dhe sigurimeve, njësimin e diplomave dhe lëvizjen pa kontrolle kufitare, si dhe bashkëpunimin në fushat e arsimit, kulturës, turizmit, bujqësisë, drejtësisë dhe sigurisë.

Kurti shtoi se çdo përpjekje për forcimin e dy shteteve shqiptare është në frymën e angazhimit të rilindësve dhe të atyre që dhanë gjithçka për Kosovën dhe Shqipërinë, duke e vlerësuar këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë edhe në kontekstin e 81-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi dhe 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai kujtoi se Shqipëria ishte vendi i parë në Evropë që u çlirua me forcat e saj, duke u rreshtuar pranë Aleatëve, dhe nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së angazhimit për aleancat strategjike.

Në përfundim, Kurti uroi: “Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë dhe së bashku i jetofshim dhe festofshim përherë!”