Kapen 80 kg kanabis në Portin e Durrësit, tre kosovarë arrestohen
Policia shqiptare ka finalizuar operacionin e koduar “Anchor”, duke goditur një rast të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të kanabisit nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe më pas drejt Kosovës.
Gjatë operacionit, në Portin e Durrësit janë sekuestruar 127 pako me rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC. Sipas Policisë, vlera e drogës në treg përllogaritet në rreth 1 milion euro.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar tre shtetas kosovarë, T. D., 32 vjeç, L. G., 26 vjeç dhe B. J., 40 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Po ashtu, janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë, H. C., nga Kukësi, dhe G. O., i lindur në Kosovë dhe banues në Ontario të Kanadasë.
Përveç lëndës narkotike, policia ka sekuestruar edhe tre automjete, pesë telefona celularë dhe rreth 11 mijë euro cash.
Sipas hetimeve, kanabisi dyshohet se sigurohej në Ontario të Kanadasë dhe transportohej drejt Shqipërisë, i fshehur në një hapësirë të modifikuar në një automjet të porositur për blerje në Kanada. Pas mbërritjes në Shqipëri, droga dyshohet se shpërndahej në territorin shqiptar dhe më tej në Kosovë.
Operacioni u zhvillua nga strukturat e Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë, Policinë Kufitare, Forcën e Posaçme Operacionale dhe strukturat doganore.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë rrjet të trafikimit.
