🌡️ Depresioni veror, fenomen i rrallë por në rritje
Edhe pse depresioni sezonal zakonisht lidhet me muajt e ftohtë të vitit, ekspertët paralajmërojnë se ekziston edhe një formë më e rrallë e tij që shfaqet gjatë verës dhe mund të përkeqësohet nga temperaturat e larta.
I ashtuquajturi depresion veror prek një përqindje më të vogël të njerëzve krahasuar me depresionin dimëror, por simptomat mund të jenë po aq serioze. Sipas ekspertëve, valët e të nxehtit dhe netët tropikale mund të ndikojnë në gjendjen emocionale duke shkaktuar pagjumësi, lodhje, ankth, nervozizëm, humbje të oreksit dhe ulje të humorit.
Temperaturat e larta ndikojnë në ritmin e gjumit dhe në funksionimin normal të organizmit, çka mund të rrisë ndjeshmërinë ndaj stresit dhe problemeve të shëndetit mendor.
Psikologët rekomandojnë që gjatë periudhave me vapë ekstreme të mbahet një rutinë e rregullt ditore, të shmanget ekspozimi në diell gjatë orëve më të nxehta dhe t’i kushtohet rëndësi cilësisë së gjumit. Në rastet kur simptomat zgjasin ose bëhen më të rënda, këshillohet kërkimi i ndihmës nga profesionistët e shëndetit mendor.
Ndërkohë, të dhënat ndërkombëtare tregojnë se çrregullimet e shëndetit mendor janë rritur ndjeshëm në dekadat e fundit. Depresioni dhe ankthi vazhdojnë të jenë ndër problemet më të përhapura, ndërsa ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike dhe temperaturat ekstreme mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në mirëqenien psikologjike të njerëzve.
