Nis për herë të parë në Kosovë aplikimi i radioterapisë stereotaktike, një metodë e avancuar për trajtimin e tumoreve
Për herë të parë, Klinika e Onkologjisë në QKUK ka filluar përdorimin e metodës më të avancuar të trajtimit të tumoreve, radioterapinë stereotaktike.
Ky zhvillim është bërë i ditur nga drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, i cili e ka cilësuar këtë si një arritje të madhe në trajtimin e tumoreve dhe metastazave në tru.
Deri më tani, pacientët kosovarë që kishin nevojë për këtë trajtim dërgoheshin jashtë vendit, duke shkaktuar kosto të larta për sistemin shëndetësor të Kosovës dhe vështirësi për vetë pacientët.
Sipas Kurtishit, radioterapia stereotaktike është një avancim i rëndësishëm për shëndetësinë në Kosovë dhe një hap i madh përpara në trajtimin e tumoreve. Kjo teknikë jo vetëm që përmirëson shanset e suksesit në trajtim, por gjithashtu redukton ndjeshëm efektet anësore, duke garantuar një kujdes më të mirë për pacientët.
Radioterapia stereotaktike është një metodë shumë e avancuar dhe precize e terapisë me rrezatim, e cila përdoret për trajtimin e tumoreve dhe gjendjeve të tjera intrakraniale. Kjo teknikë përqendron doza të larta të rrezatimit në zona specifike, duke minimizuar dëmtimin e indeve të shëndetshme përreth. Sipas Kurtishit, kjo metodë është veçanërisht efektive për trajtimin e tumoreve të vogla dhe të mesme, me dimensione prej 1 deri në 3 cm.
“Radioterapia stereotaktike aplikohet në doza të larta dhe përfundon brenda një numri të kufizuar seancash, zakonisht nga 1 deri në 5, varësisht nga rasti,” ka shpjeguar drejtori i Klinikës. Ai shtoi se kjo metodë është jo-invazive, nuk kërkon ndërhyrje kirurgjikale dhe ofron siguri maksimale për pacientët.