Dita botërore kundër AIDS-it, në Kosovë nga 1986 deri në 2020 janë raportuar 132 raste me HIV

01.12.2020

Më 1 dhjetor shënohet  Dita Botërore e AIDS-it, ditë e cila në shumë pjesë të botës kalon duke mësuar dhe informuar popullatën lidhur me këtë sëmundje dhe njëkohësisht vazhdon të jetë një çështje me rëndësi globale e shëndetit publik. Arsyeja e shënimit të kësaj dite në tërë Botën si dhe në Kosovë është:Thirrje për AKSION […]

Dita botërore kundër AIDS-it, në Kosovë nga 1986 deri në 2020 janë raportuar 132 raste me HIV Foto: Ilustrim

Më 1 dhjetor shënohet  Dita Botërore e AIDS-it, ditë e cila në shumë pjesë të botës kalon duke mësuar dhe informuar popullatën lidhur me këtë sëmundje dhe njëkohësisht vazhdon të jetë një çështje me rëndësi globale e shëndetit publik.

Arsyeja e shënimit të kësaj dite në tërë Botën si dhe në Kosovë është:Thirrje për AKSION për të gjithë personelin dhe vendimmarrësit shëndetësor, liderët në komunitet, menaxherët e programeve të HIV-it dhe partnerët tjerë që me kontributin e tyre të përkrahin masat e parandalimit dhe kontrollit të HIV/AIDS-it

Në botë në fund të vitit 2019 rreth 38 milion njerëz ishin me HIV, ndërsa llogaritet se 1 në 5 njerëz që jetojnë me HIV nuk e dinë se janë të infektuar.

Deri tani nga HIV-i kanë ndërruar jetë 33 milionë njerëz, ndërsa gjatë vitit 2019 kanë vdekur 690.000 njerëz me HIV për shkak të mungesës së shërbimeve për HIV, ndërsa 1.7 milion tjerë janë infektuar.

“Llogaritet se rreth 62% të infeksioneve të reja në mbarë botën i takojnë grup moshave 15-49 vjeç dhe grupacioneve të veçanta (narkomanët, punëtorët e seksit, transgjinorët, të burgosurit, meshkujt që kanë seks me meshkuj). Infeksioni me HIV është i pashërueshëm. Megjithatë, terapia efikase antiretrovirale mund ta kontrollojë virusin dhe të ndihmojë parandalimin e bartjes së infeksionit tek njerëzit tjerë”, thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Ndikimi i infeksionit me COVID-19 tek personat me HIV është ende duke u hulumtuar, ndërsa personat me HIV janë të rrezikuar nga sëmundjet serioze nëse kanë vlera të ulëta të qelizave imunitare CD4 dhe nëse nuk marrin terapi efektive antiretrovirale.

“Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë por me potencial të rritjes, posaçërisht në mesin e popullatës MSM. Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se ne nuk kemi epidemi të gjeneralizuar apo të përqendruar të infeksionit HIV”, thuhet në njoftim.

Që nga viti 1986 deri me 1 dhjetor të vitit 2020, në Kosovë janë raportuar 132 raste me HIV. Deri më tani 51 kanë vdekur si pasojë e AIDS-it.

Në vitin 2020, janë raportuar 2 raste me HIV infeksion.

Qendrat për Këshillim dhe Testim Vullnetar për HIV/AIDS ekzistojnë që nga viti 2003 në Kosovë dhe veprojnë në kuadër të Klinikës Infektive në QKUK, në IKSHPK gjithashtu edhe në Ferizaj, Prizren dhe Pejë.

Kampanja për vitin 2020 është me moton:

“Ta përfundojmë epideminë e HIV/AIDS-it: Qëndrueshmëri dhe Ndikim”