Mialgia Dhimbjet e muskujve, kujdesi që duhet të tregoni

Dhimbjet e muskujve (mialgia) janë shumë të zakonshme. Pothuajse çdokush ka përjetuar dhimbje të muskujve të paktën njëherë në jetë. Meqënëse indi muskulor gjendet në pothuajse çdo pjesë të trupit, kjo lloj dhimbjeje mund të ndihet kudo.

Cilat janë shkaqet më të shpeshta të dhimbjeve të muskujve?

Shpesh, personat që përjetojnë dhimbje të muskujve mund ta gjejnë kollaj shkakun. Kjo pasi shumica e rasteve janë si rezultat i stresit, tensionit apo aktivitetit fizik.

Disa shkaqe të shpeshta përfshijnë:

  • tensionin e muskujve në një apo më shumë zona të trupit
  • mbipërdorimi i muskujve gjatë aktivitetit fizik
  • lëndimi i muskujve në një punë apo aktivitet fizik
  • mos bërja e nxehjes para fillimit të ushtrimeve fizike

Cilat probleme shëndetësore mund të shkaktojnë dhimbje të muskujve?

Jo të gjitha dhimbjet janë të lidhura me stresin, tensionin apo aktivitetin fizik. Disa shpjegime mjekësore për mialginë përfshijnë:

  • fibromialginë, sidomos nëse dhimbjet zgjasin më shumë se 3 muaj
  • sindroma e lodhjes kronike
  • sindroma e dhimbjes miofaciale, që shkakton inflamacion në indet lidhëse muskulore
  • infeksione si gripi apo infeksione bakteriale
  • përdorimi i ilaçeve apo mjekimeve të caktuara
  • probleme të tiroides si hipotiroidizmi dhe hipertiroidizmi
  • hipokalemia (kalium i ulët)

Qetësimi i dhimbjes së muskujve

Dhimbja e muskujve mund të trajtohet shumë shpesh edhe në kushtet e shtëpisë. Disa masa që mund të merrni për qetësimin e dhimbjeve janë:

  • pushimi i zonës së trupit nga ku ndieni dhimbje
  • marrja e një qetësuesi dhimbjesh si psh. ibuprofen
  • vendosja e akullit në zonën e prekur për të qetësuar dhimbjen dhe reduktuar inflamacionin
  • shmangia e aktiviteteve të rënda fizike deri sa të kalojë dhimbja
  • aktivitete për heqjen e stresit dhe ushtrime si joga apo meditimi

Kur duhet të paraqiteni tek mjeku?

Dhimbja e muskujve nuk është gjithmonë e padëmshme, dhe në disa raste, trajtimi në shtëpi  nuk është i mjaftueshëm.

Duhet të shkoni për një vizitë tek mjeku për:

  • dhimbje që nuk largohet edhe pasi të jeni munduar ta trajtoni në shtëpi
  • dhimbje e rëndë që është shfaqur pa asnjë shkak të dukshëm
  • dhimbje që vjen e shoqëruar me skuqje dhe kruarje të lëkurës
  • dhimbje që ndodh pas pickimit nga një insekt
  • dhimbje që shoqërohet me enjtje të zonës së prekur
  • dhimbje që shoqërohet me temperaturë të lartë
  • dhimbje që vjen pas një ndryshimi në ilaçe

Këshilla për parandalimin e dhimbjeve të muskujve:

  • Mos harroni të bëni nxehje përpara se të filloni të bëni aktivitet fizik.
  • Qëndroni të hidratuar, sidomos në ditët kur jeni aktivë.
  • Bëni rregullisht aktivitet fizik.
  • Nëse punoni në zyrë ose një vend ku ju duhet të qëndroni për një kohë të gjatë ulur, ngrihuni herë pas here nga karrigia dhe lëvizni krahët dhe këmbët.
© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.