21-vjeçarja në Prizren denoncon burrin dhe kunatën në Polici për dhunë fizike

16.11.2023 Regjioni
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.
Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Për një rast të tillë që dyshohet të ketë ndodhur në Prizren, Prokuroria ka nisur hetimet.
Një 21-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ka pohuar se bashkëshorti bashkë me motrën e tij, kanë ushtruar dhunë ndaj saj.
Si rezultat i denoncimit, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, bashkëshorti i viktimës është dërguar në mbajtje, ndërsa kunata do të hetohet në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’.