I’u zbuluan 49 kg marihuanë në Greikoc, ngrihet aktakuzë kundër katër personave
Në një operacion të suksesshëm të policisë, është zbuluar një sasi e madhe e drogës në fshatin Greikoc të komunës së Suharekës. Katër persona janë arrestuar dhe akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve M.M., N.U., S.S., dhe N.K., të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e një grupi që merrej me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e marihuanës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë fshehur rreth 49 kilogramë marihuanë në shtëpinë e njërit prej tyre në Greikoc. Droga ishte e destinuar për tregun e Prizrenit, ku të akuzuarit po përpiqeshin ta shisnin.
“Të pandehurit kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe kanë përgatitur me kujdes këtë vepër penale”, thuhet në aktakuzë.
Policia ka sekuestruar të gjithë drogën e gjetur, si dhe mjete të tjera që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e kësaj vepre penale.
“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve M.M., N.U., S.S., dhe N.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par. 2 lidhur me nenin 275 par. 1 pika 1.9 e lidhur me nenin 31 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, të pandehurit M.M., N.U., S.S., dhe N.K., deri më datë 20.04.2024, pa autorizim posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrojnë për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pasi substancën narkotike e kishin siguruar nga Republika e Shqipërisë, të njëjtën e kishin fshehur në fshatin Greikoc – Komuna e Suharekës, në shtëpinë e të pandehurit S.S., e cila gjendet në rrugën “8 Martirët”, dhe të njëjtën substancë narkotike ia ofrojnë për shitje dy personave në njërën prej pompave të derivateve, në rrugën e transitit në Prizren, ashtu që derisa të pandehurit N.K., M.M., dhe N.U., me një person qëndrojnë në pompën e derivateve, i pandehuri S.S., me personin tjetër – blerësin potencial shkojnë në fshatin Greikoc në shtëpinë e të pandehurit S.S., për ta verifikuar substancën narkotike, me ç’ rast sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren, kontrollohet shtëpia e S.S., ku policia gjen 49 kg e 750 gram substancë narkotike të llojit “marihuanë” të sistemuara në pesë (5) paketime.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.” thuhet në njoftimin e prokurorisë.