“Veç mos e zafsha në udhë” – Kanosi gjyqtarin, një muaj paraburgim për të dyshuarin

05.11.2025

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj personit me inicialet A.N., i cili dyshohet se ka kanosur një gjyqtar të kësaj gjykate gjatë ditës së hënë, më 3 nëntor 2025.

Sipas njoftimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 brenda objektit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku i dyshuari, pas shpalljes së aktgjykimit me të cilin ishte dënuar, ka refuzuar ta pranojë atë dhe ka kërkuar takim me gjyqtarin që kishte shqiptuar vendimin.

Kur kërkesa e tij është refuzuar, A.N., në prani të stafit mbështetës të gjykatës dhe disa praktikantëve, me ton të lartë dhe sjellje të vrazhdë ka shqiptuar fjalë kërcënuese dhe ofenduese, duke deklaruar se:

“Veç mos e zafsha në udhë qat I.”

Sipas gjykatës, këto fjalë dhe sjellje kanë shkaktuar shqetësim dhe ndjenjë pasigurie te gjyqtari i përfshirë në rast, i identifikuar me inicialet I.B.

Në komunikatën e Gjykatës Themelore në Ferizaj thuhet se:

“Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Me këtë rast, palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.”

Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndërsa i dyshuari do të qëndrojë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve.