Prokuroria ngre aktakuzë për tentim-vrasje ndaj të pandehurit V.K.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet V.K., i cili akuzohet për veprën penale “vrasje në tentativë”.
Foto: Ilustrim
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 14 shtator 2025, rreth orës 11:00, në rrugën “Washington” në Gjakovë, tek pjesa e jashtme e një kafiterie të njohur në qytet, “C.P.”.
Gjatë një mosmarrëveshjeje të çastit, i pandehuri V.K. dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe ka sulmuar me dashje të dëmtuarin R.B., duke e goditur fillimisht në krahun e majtë të dorës. Pas kësaj, viktima ka reaguar duke marrë një shpuzore plastike të duhanit dhe e ka goditur të pandehurin në kokë.
Sipas dosjes së Prokurorisë, pas këtij momenti i pandehuri ka vazhduar ta godasë të dëmtuarin edhe në pjesë të tjera të trupit, përfshirë regjionin abdominal, vithet dhe duart, duke i shkaktuar plagë të shumta.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”, e parashikuar sipas nenit 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Rasti tashmë ka kaluar në fazën gjyqësore, ndërsa Prokuroria ka njoftuar se do të kërkojë dënim të merituar për të pandehurin, bazuar në provat dhe dëshmitë e siguruara gjatë hetimeve.