Prizren, ngrihet aktakuzë ndaj 7 personave për “Vrasje të rëndë në tentativë” dhe 4 vepra të tjera penale
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër shtatë të pandehurve për një incident të rëndë të ndodhur më 22 maj 2024 në fshatin Krajk të Prizrenit.
Të akuzuarit përballen me akuza të shumta, përfshirë “Vrasje të Rëndë në Tentativë”, “Sulm”, “Lëndim i Rëndë Trupor” dhe “Mbajtje të Paautorizuar të Armëve”.
Sipas aktakuzës, rreth orës 19:15 të datës 22 maj 2024, në afërsi të tyrbes së fshatit Krajk, të pandehurit H.L., Sh.L. dhe A.L., në bashkëkryerje, tentuan të privonin nga jeta të dëmtuarin M.Q. Ata përdorën armë zjarri, duke shkaktuar lëndime të rënda në këmbët e viktimës. Gjatë incidentit, rrezikuan jetën e pasagjereve Gj.B. dhe S.Q., që ndodheshin në automjetin e viktimës.
Incidenti përfshiu edhe sulme të tjera të dhunshme. I pandehuri A.L. përdori një shufër metalike për të thyer xhamin e përparmë të automjetit të viktimës, ndërsa të tjerët përdorën armë zjarri nga një distancë prej 4-5 metrash, duke goditur viktimën në të dy këmbët.
Ndërkohë, në një ngjarje të lidhur, të pandehurit I.L. dhe A.L., të pajisur me armë, sulmuan një tjetër person, B.Q., duke e goditur me pjesën e topitur të pistoletës dhe duke i shkaktuar lëndime.
Pas konfliktit fillestar në fshatin Krajk, të pandehurit ndoqën viktimat dhe familjet e tyre deri në një pompë benzine në Prizren. Atje, sulmuan viktimat me mjete të forta dhe armë zjarri, duke shkaktuar lëndime të rënda trupore që u dokumentuan nga ekspertët mjekoligjorë.
Prokuroria ka ngritur akuza për disa vepra penale:
- Vrasje e Rëndë në Tentativë (Neni 173)
- Sulm (Neni 184)
- Lëndim i Rëndë Trupor (Neni 186)
- Mbajtje e Paautorizuar e Armëve (Neni 366)
Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale dhe të dënohen sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).