Kryeprokurorët e Prizrenit dhe Gjakovës zhvillojnë takim me ekspertët e Britanisë së Madhe

02.12.2025

Një takim i rëndësishëm pune është zhvilluar sot mes Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, me dy ish-Kryeprokurorët e Mbretërisë së Bashkuar, Nick Hawkins dhe Douglas Mackay.

Të dy ekspertët britanikë janë aktualisht pjesë e projektit rajonal “Integriteti Gjyqësor”, të mbështetur nga Qeveria Britanike dhe i zbatuar nga organizata Security Criminal Justice Solutions (SCJS), në kuadër të përpjekjeve për forcimin e kapaciteteve institucionale të sistemit prokurorial në Kosovë.

Takimi u fokusua në prezantimin dhe diskutimin e politikës së re të sigurimit të cilësisë së punës me lëndë, një iniciativë që synon të rrisë profesionalizmin, efikasitetin dhe përgjegjësinë institucionale. Politika mbështetet në standardet etike dhe operacionale të përcaktuara në Kodin e Etikës dhe në rregulloret e Prokurorisë së Shtetit, duke kërkuar harmonizim të plotë të praktikave të punës me standardet evropiane.

Ekspertët britanikë dhanë komentet dhe rekomandimet e tyre lidhur me standardizimin e procedurave të brendshme, rritjen e transparencës dhe vlerësimin e rrezikut institucional. Ata theksuan se përmirësimi i mekanizmave të brendshëm dhe forcimi i integritetit profesional janë thelbësorë për një sistem prokurorial modern dhe funksional.

Në takim u ritheksua rëndësia e zbatimit të standardeve të qëndrueshme të cilësisë në çdo aspekt të punës së prokurorisë, duke përfshirë komunikimin me palët relevante, transparencën institucionale dhe ngritjen e kulturës së përgjegjësisë. Po ashtu u nënvizua se bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë mbetet element kyç për modernizimin e sistemit të drejtësisë në vend.

Pjesëmarrësit vlerësuan lartë mbështetjen e ekspertëve britanikë, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një shtysë të rëndësishme për reformimin dhe forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Prokuroritë Themelore në Prizren dhe Gjakovë u zotuan se do të vazhdojnë me zbatimin e politikave të avancuara të sigurimit të cilësisë dhe me intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për ngritjen e standardeve profesionale.