Aktakuzë ndaj A.Z dhe B.D. për krime lufte në Komunën e Suharekës dhe Rahovecit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj dy personave, A.Z. dhe B.D., për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Foto: Ilustrim
Sipas aktakuzës, të pandehurit, në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, gjatë viteve 1998-1999 kanë marrë pjesë individualisht dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe në një fushatë arrestimesh ndaj qytetarëve në komunat e Rahovecit dhe Suharekës.
Në mesin e të arrestuarve ishin R.J., M.K., E.G., S.E., V.V., Q.K., U.K., H.G., S.G., H.Sh. dhe A.Z., të cilët, sipas aktakuzës, gjatë marrjes në pyetje janë dhunuar me mjete të forta dhe metoda të tjera çnjerëzore. Si pasojë, R.J. humbi jetën, ndërsa të tjerët pësuan lëndime serioze trupore.
Prokuroria Speciale, duke u mbështetur në nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, ka propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë, pasi të pandehurit A.Z. dhe B.D. janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Ky rast vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të drejtësisë për të hetuar dhe ndëshkuar krimet e luftës dhe për të sjellë përgjegjësi ndaj personave përgjegjës për veprime të dhunshme ndaj popullsisë civile gjatë konfliktit të fundit në Kosovë.