“200 euro për kalimin e testit të vozitjes” – Ngritet aktakuzë ndaj 5 personave të dyshuar

22.10.2025

Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave: A.B., E.Q., F.S., S.M. dhe V.V., për vepra penale që lidhen me marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Marrje ryshfeti për kalimin e testit të vozitjes

Sipas aktakuzës, e pandehura A.B., në cilësinë e instruktores në auto-shkollën “A.B A.F.”, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, ka pranuar shumën prej 200 euro nga një kandidate, me qëllim që t’i mundësohej kalimi i testit praktik të vozitjes.

Me këto veprime, A.B. akuzohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 paragrafi 1 i KPRK-së.

Keqpërdorim i pozitës nga zyrtarët në komisionin e licencimit

Ndërkohë, F.S., E.Q., S.M. dhe V.V., në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen lidhur me kërkesat për licencim dhe ndryshim të kushteve hapësinore të auto-shkollave, dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat ligjore, duke vepruar në bashkëkryerje, me qëllim përfitimi të dobisë materiale në mënyrë të kundërligjshme.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj tyre për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Pushim i pjesshëm i hetimeve për një të dyshuar

Ndaj të pandehurit E.L., Prokuroria ka nxjerrë aktvendim për pushimin e pjesshëm të hetimeve, pasi është vlerësuar se nuk ekziston dyshim i arsyeshëm që ai ta ketë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, për të cilën ishte nën hetim.

Prokuroria: E përkushtuar në luftën kundër korrupsionit

Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit, si dhe në ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë në vepra të tilla, me synim forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e llogaridhënies institucionale.