Zyrtari policor i nacionalitetit serb arrestohet nën dyshimin për spiunazh në Kosovë

17.07.2025

Një operacion i gjerë kundër spiunazhit është duke u zhvilluar sot në Kosovë, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale, Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) dhe Policia e Kosovës.

Si rezultat i këtij aksioni, një zyrtar policor serb ka rënë në pranga nën dyshimin për spiunazh.

Burimet bëjnë me dije se i arrestuari është Bojan Jevtiq, me gradën e zëvendëskomandantit në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”. Jevtiq dyshohet se ka transferuar sekrete shtetërore tek agjencitë serbe.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar operacionin, duke theksuar se ai po kryhet nën dyshimin për veprën penale të spiunazhit. Ndërkohë, televizioni Dukagjini ka publikuar pamje nga momenti i arrestimit të Jevtiqit.

Ky arrestim vjen në një kohë kur autoritetet kosovare kanë intensifikuar përpjekjet për të luftuar spiunazhin. Kujtojmë se edhe më parë janë arrestuar persona të dyshuar për këtë vepër, përfshirë rastin e fundit të Hysri Selimit, i cili u arrestua gjithashtu nën dyshimin për spiunazh.

Operacionet e tilla theksojnë seriozitetin me të cilin institucionet e Kosovës po trajtojnë kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare dhe integritetit të shtetit.