Zhduket një grua në Deçan, Policia interviston pesë persona
Një rast i zhdukjes së një gruaje është raportuar në Policinë e Kosovës, në stacionin policor të Deçanit, ku po zhvillohen hetime të thelluara për zbardhjen e ngjarjes.
Foto: Ilustrim
Sipas zëdhënësit të Policisë, Driton Gashi, ankuesi ka njoftuar policinë më 6 dhjetor, rreth orës 10:40, se e ëma kishte dalë nga shtëpia më 2 dhjetor, rreth orës 09:00, dhe që nga ajo ditë nuk është kthyer dhe nuk ka dhënë asnjë informacion për vendndodhjen e saj.
“Rasti është regjistruar si person i zhdukur dhe hetimet po vazhdojnë intensivisht. Deri më tani janë intervistuar pesë persona, por ende nuk është identifikuar lokacioni ku ndodhet ajo”, ka deklaruar Gashi.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha njësitë relevante janë angazhuar në kërkim, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që kanë ndonjë informacion të mundshëm lidhur me rastin, ta raportojnë menjëherë në numrat zyrtarë të Policisë së Kosovës.