Zbulohen mbetje eshtrash, dyshohet se i përkasin tre personave të zhdukur gjatë luftës 1998-1999
Njësitet policore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë zhvilluar një aksion gërmimi në varrezat e fshatit Hajvali, në afërsi të Prishtinës.
Foto: Ilustrim
Operacioni është realizuar më 20 tetor 2025, mbi bazën e një urdhërese të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Gjatë gërmimeve janë zbuluar mbetje eshtërore që dyshohet se i përkasin të paktën tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, në periudhën 1998-1999.
Sipas Policisë së Kosovës, mbetjet janë dërguar për analiza në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do të kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore dhe testet e ADN-së me qëllim të identifikimit të viktimave.
Hetimet lidhur me rastin janë ende në zhvillim.