Vazhdohet marrëveshja mes SHSKUK-së dhe policisë, shërbime mjekësore e psikologjike për policët
Në një takim të mbajtur sot më 3 dhjetor 2024, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, priti në takim përfaqësuesit e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), të udhëhequr nga drejtori i SHSKUK-së, z. Elvir Azizi.
Qëllimi i këtij takimi ishte rinovimi dhe forcimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Policisë së Kosovës dhe SHSKUK-së për ofrimin e shërbimeve mjekësore dhe psikologjike për personelin policor dhe rekrutët (kadetët policorë).
Memorandumi i Bashkëpunimit u nënshkrua nga kolonel Gazmend Hoxha dhe z. Elvir Azizi, duke zyrtarizuar vazhdimin e një partneriteti që deri tani ka rezultuar shumë i suksesshëm. Ky memorandum përfshin:
- Kontrollimet mjekësore dhe psikologjike për rekrutët e rinj të Policisë së Kosovës, të cilat realizohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
- Kontrollime sistematike mjekësore për punonjësit aktualë të policisë, të cilat kryhen në QKUK për stafin në rajonin e Prishtinës dhe në spitalet e përgjithshme të SHSKUK-së për personelin nga drejtoritë rajonale të tjera.
Gjatë nënshkrimit, u theksua rëndësia e këtij bashkëpunimi për mirëqenien fizike dhe psikologjike të punonjësve të Policisë së Kosovës. Si garantues të rendit dhe sigurisë në vend, zyrtarët policorë shpesh përballen me sfida të rënda në kryerjen e detyrave të tyre. Përkrahja në trajtimin e tyre mjekësor dhe psikologjik konsiderohet një hap i rëndësishëm për të siguruar që ata të jenë të gatshëm dhe të shëndetshëm për të përmbushur misionin e tyre në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim.
Kolonel Hoxha dhe z. Azizi shprehën angazhimin për të vazhduar këtë bashkëpunim dhe për të ngritur standardet e trajtimit mjekësor e psikologjik për personelin policor në të ardhmen.