Tragjedi në Zubin Potok, 57-vjeçari gjendet i vdekur në pushimore, dyshohet për vetëvrasje

12.03.2025

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Bërnjak të Zubin Potokut, ku një burrë 57-vjeçar është gjetur i pajetë në pushimoren e tij. Pranë trupit të viktimës është gjetur edhe një armë zjarri, duke ngritur dyshime për vetëvrasje.

Sipas informacioneve të para nga Policia e Kosovës, viktima u gjet pa shenja jete nga banorët e zonës, të cilët menjëherë njoftuan autoritetet. Ekipi mjekësor që mbërriti në vendin e ngjarjes konstatoi vdekjen e 57-vjeçarit.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike. “Në bazë të hetimeve fillestare, dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje,” tha një zëdhënës i Policisë për Gazeta Sinjali.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Vdekje e dyshimtë”. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.

“Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit rasti është inicuar si ‘Vdekje e dyshimtë’. Ndërkaq, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion,” konfirmoi Policia e Kosovës.