Theu gjësende në shtëpi dhe sulmoi bashkëshorten, arrestohet i dyshuari në Rahovec

22.11.2025

Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë, i cili dyshohet se në gjendje të dehur ka shkaktuar dëme brenda shtëpisë së tij në Rahovec.

Sipas raportit policor, i dyshuari kishte thyer disa gjësende, si dhe telefonin e tij dhe të bashkëshortes – e cila posedonte urdhër mbrojtës ndaj tij.

Gjithashtu, ai dyshohet se e ka sulmuar fizikisht dhe e ka kanosur viktimën, e cila ka arritur t’i shmanget rrezikut duke u strehuar në shtëpinë e djalit të saj.

Palëve u është ofruar tretman mjekësor, ndërsa me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti në gjendje të dehur, dyshohet se kishte dëmtuar-thyer disa gjësende në shtëpi, kishte thyer telefonin e tij dhe të viktimës -bashkëshortes së tij, e cila kishte urdhër mbrojtës. I dyshuari, po ashtu dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht dhe e ka kanosur viktimën, ndërsa viktima ka arritur t’i shmanget rrezikut duke u futur në shtëpinë e djalit të saj. Palëve (viktimës dhe të dyshuarit) u është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.