Tentoi ta mbyste djalin e tij, arrestohet i dyshuari D.B. dhe ndalohet për 48 orë
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se pas një pune intensive operative është arrestuar një person me inicialet D.B., i cili prej disa muajsh ishte në kërkim nga organet e rendit.
Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari akuzohet se ka tentuar t’i marrë jetën djalit të tij, duke kryer kështu një vepër që ka alarmuar autoritetet dhe ka çuar në një hetim të zgjeruar.
Pas lokalizimit dhe kapjes së tij, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në prani të prokurorit kompetent.
Me vendim të prokurorit të rastit, D.B. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të veprës penale po vazhdojnë.
Prokuroria ka bërë të ditur se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit dhe mbrojtjen e viktimës.