Tentim kontrabande me pajisje dentare në vlerë mbi 72 mijë euro – arrestohet një person në PKK Bernjak

28.07.2025

Dogana e Kosovës ka zbuluar dhe parandaluar një rast të tentim kontrabande me pajisje dentare profesionale, me një vlerë prej 72,461.23 euro, gjatë një kontrolli në pikën kufitare në PKK Bernjak.

Personi i dyshuar, një shtetas që kishte ardhur nga Gjermania, kishte paraqitur mallin si pjesë e gjësendeve të tij personale, duke deklaruar se po importonte pajisje kuzhine, dollapa dhe ormana. Por gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar se në fakt bëhej fjalë për pajisje dentare profesionale, për të cilat nuk kishte as licencë importi dhe as dokumentacion të rregullt ligjor.

Pas këtij zbulimi, hetuesit doganorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, kanë nisur veprimet hetimore dhe kanë arrestuar personin e dyshuar, ndërsa procedurat ligjore janë në zhvillim e sipër.

Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në parandalimin e veprimtarive të paligjshme, duke mbrojtur tregun, ekonominë dhe sigurinë e qytetarëve të vendit.