Sulmohet fizikisht një polic në Suharekë – Policia kërkon të dyshuarin
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një zyrtar policor është sulmuar fizikisht të mërkurën mbrëma në auto-udhën e Suharekës, rreth orës 19:00.
Edhe pse ishte jashtë detyrës zyrtare, ai u përfshi në një incident teksa po lëvizte me veturë.
Sipas raportit 24-orësh, polici ka hasur në dy automjete të ndaluara në shiritin rrugor të autoudhës, të cilat përbënin rrezik për qarkullimin, sidomos për shkak të kushteve atmosferike dhe mjegullës së dendur.
Në raport theksohet:
“Auto udhë, Suharekë. Viktima mashkull kosovar, zyrtar policor i cili ishte jashtë detyrës zyrtare dhe ishte duke lëvizur në auto udhë, ka hasur në dy mjete të ndaluara në shirit rrugor në auto udhë. Viktima është ndaluar dhe ka biseduar me vozitësit për arsyen e ndaljes, ku i njëjti ka kërkuar që të marrin masa për siguri për shkak të kushteve atmosferike – mjegullës, pasi mund të shkaktohet ndonjë aksident. Pas bisedës me ta, i dyshuar e ka sulmuar fizikisht viktimën”.
Polici ka marrë tretman mjekësor në QKMF Suharekë, dhe gjendja e tij raportohet të jetë stabile.
Ndërkohë, njësitë policore janë në kërkim të të dyshuarit, i cili është larguar nga vendngjarja pas sulmit. Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit.