Siguria në Kosovë, drejtori i Policisë raporton për situatën në veri

26.03.2024

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se situata e përgjithshme e sigurisë në vend është e qetë, por në pjesën veriore vazhdon të mbetet e brishtë.

Siguria në Kosovë, drejtori i Policisë raporton për situatën në veri Foto: Ilustrim

Teksa përmendi sulmin terrorist në Banjskë, shtoi se gjatë vitit të kaluar kanë menaxhuar mbi 500 protesta në veri.

Në paraqitjen e raportit të punës për vitin 2023, Hoxha para Komisionit për Çështje te Sigurisë theksoi se janë raportuar mbi 48 mijë raste pranë Policisë së Kosovës.

“Në vitin 2023 kemi pasur rritje të rasteve të vrasjeve, nga 21 në 29 raste të vrasjeve. Dhuna në familje, kemi pasur ulje gjatë këtij viti, nga 2 mijë e 757 në 2 mijë e 460. 79 për qind e rasteve të veprave penale”, tha ai.

Tutje, para anëtarëve të Komisionit për Siguri, Hoxha u shpreh se gjatë vitit të kaluar janë shënuar 96 raste të aksidenteve në trafikun rrugor me fatalitet.

Drejtori i Policisë deklaroi se në vitin 2023 janë paraqitur 1094 kallëzime penale dhe janë goditur 23 grupe kriminale.