Shoferi kapet me 143 km/h në zonë 50 – ndëshkohet me gjobë dhe ndalim vozitjeje

para 2 dite

Njësia e Trafikut Rrugor në Ferizaj ka ndëshkuar një shofer që po drejtonte automjetin me shpejtësi të tejkaluar në rrugën magjistrale Ferizaj–Gjilan, në fshatin Dardani.

Shoferi kapet me 143 km/h në zonë 50 – ndëshkohet me gjobë dhe ndalim vozitjeje

Rreth orës 01:25 të mëngjesit, gjatë kontrolleve me radar, policia ka identifikuar një veturë të tipit BMW me targa të huaja, duke lëvizur me 143 kilometra në orë në një zonë ku kufizimi i lejuar është 50 km/h.

I dyshuari, A.R., 33 vjeç, është ndëshkuar me gjobë prej 300 eurosh, ndërsa ndaj tij është shqiptuar edhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të mjetit për tre muaj.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe aksione të shtuara në zonat e rrezikshme, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

Autoritetet kanë bërë thirrje për respektim të rregullave të komunikacionit, duke ftuar qytetarët që të raportojnë çdo shkelje apo situatë të rrezikshme. Policia garanton se të gjitha informacionet e raportuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.

Etiketat

Ofertat e fundit