Rritet numri i aksidenteve – Policia shqipton 1,947 gjoba në 24 orë

22.11.2025

Policia e Kosovës ka bërë të ditur statistikat e 24 orëve të fundit përmes raportit të saj ditor, duke prezantuar të dhënat kryesore nga fushat e sigurisë rrugore dhe rendit publik.

Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe nuk është regjistruar asnjë aksident me fatalitet, ndërsa janë shënuar gjithsej:

  • 22 aksidente me të lënduar,
  • 39 aksidente me dëme materiale.

Pavarësisht mungesës së aksidenteve fatale, numri i aksidenteve mbetet i lartë, ndërsa Policia e Kosovës thotë se po vazhdon me intensifikimin e kontrolleve në komunikacion. Brenda 24 orëve, efektivët kanë shqiptuar 1,947 gjoba trafiku, si pjesë e masave për rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit.

Po ashtu, policia ka njoftuar se gjatë këtij 24-orëshi janë arrestuar 20 persona për vepra të ndryshme penale, ndërsa 5 prej tyre janë dërguar në mbajtje, në pritje të procedurave të mëtejshme.

Policia ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion dhe respektim të rregullave, duke theksuar se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të lartë edhe ditëve në vijim.