Rreth 360 gjoba shqiptohen në muajin janar për pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura

27.01.2024

Gjatë muajit janar janë shqiptuar rreth 360 gjoba për mosrespektimin e ligjit kundër duhanpirjes në vende të mbyllura. Ndërkaq, paralajmërohet se do të ketë gjoba edhe për cigaret elektrike që kanë nikotinë.

Rreth 360 gjoba shqiptohen në muajin janar për pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura Foto: Ilustrim

Kryeinspektori sanitar në Kosovë, Ibrahim Tërshnjaku tha për KosovaPress se nuk do të ketë mëshirë ndaj kafiterive që nuk respektojnë ligjin kundër duhan-pirjes.

Tërshnjaku, derisa tregon numrin e subjekteve afariste që kanë kontrolluar dhe gjobat e shqiptuara gjatë muajit janar, thotë se Qeveria duhet të mendojë për rritje të çmimit të duhanit, i cili do të jetë si formë edukuese për ta zvogëluar duhan-pirjen ose për ta marrë edhe një edukim tjetër në kuptim ekonomik dhe shëndetësor.

Sipas tij, nuk do të kenë fare mëshirë për kafe-barët që nuk po e zbatojnë ligjin për duhanin. Gjithashtu, Tërshnjaku tregoi se edhe cigaret elektronike që përmbajnë nikotinë, nuk do të lejohen më në hapësirat e mbyllura dhe për ato do të shqiptohen edhe gjoba.