Rahovec, policia identifikon dhe ndëshkon tre persona për gara të rrezikshme shpejtësie

17.07.2025

Një reagim i shpejtë dhe i koordinuar i Policisë së Kosovës në Rahovec ka rezultuar me identifikimin dhe ndëshkimin e tre personave që po zhvillonin gara të rrezikshme shpejtësie në rrugën “UÇK”, në orët e vona të natës së 3 korrikut 2025.

Pas pranimit të informatave për këto veprime të rrezikshme, Stacioni Policor në Rahovec ka ndërmarrë menjëherë veprime operative dhe hetimore. Si rezultat i hetimeve të përkushtuara, janë identifikuar tri vetura dhe të tre kundërvajtësit që, me sjelljen e tyre, kanë rrezikuar seriozisht sigurinë në trafik.

Sipas njoftimit zyrtar, ndaj personit të parë është shqiptuar një gjobë në vlerë prej 500 eurosh, masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike për 12 muaj, si dhe janë shqiptuar 5 pikë negative në patentë shofer.

Ndërkohë, ndaj personit të dytë dhe të tretë janë konstatuar edhe kundërvajtje shtesë, përkatësisht ngasje pa patentë shofer, për çka janë ndërmarrë masat ligjore përkatëse.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka theksuar përkushtimin e saj për të parandaluar dhe ndëshkuar çdo sjellje që rrezikon jetën dhe sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.

Policia apelon tek të gjithë qytetarët, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin sjelljet e rrezikshme dhe të kontribuojnë për rrugë më të sigurta për të gjithë.