Prizren, policia sekuestron armë dhe narkotikë, një person dërgohet në mbajtje
Policia e Kosovës ka zhvilluar të martën disa aksione në terren, ku janë identifikuar dhe sekuestruar armë pa leje dhe substanca narkotike në disa komuna të vendit. Një prej rasteve është regjistruar në Prizren, ku janë marrë masa ndaj dy personave.
Në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, njësitet policore kanë ndaluar një veturë me dy persona. Gjatë kontrollit, tek drejtuesi i automjetit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri – pistoletë, ndërsa tek pasagjeri është gjetur një sasi prej 0.87 gramë substance të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Me urdhër të prokurorit, drejtuesi i veturës është dërguar në mbajtje, ndërsa pasagjeri është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se aksione të ngjashme janë ndërmarrë edhe në komuna të tjera, përfshirë Podujevën, Gllogocin, Ferizajn dhe Dubravën, ku janë arrestuar persona të dyshuar dhe janë iniciuar procedura penale.