Prishtinë, arrestohen pesë persona për shitblerje të narkotikëve, sekuestrohen heroinë, kokainë dhe marihuanë

25.06.2025

Policia e Kosovës ka finalizuar me sukses një operacion të gjerë kundër trafikimit me narkotikë, duke arrestuar pesë persona të dyshuar dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme të substancave narkotike dhe dëshmi të tjera relevante.

Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN), përkatësisht Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve (SQHN) në Prishtinë, kanë përmbyllur një hetim disamujor përmes rastit të koduar “Driver”, që ka rezultuar me arrestimin në flagrancë të dy personave të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme të shitblerjes së narkotikëve.

Gjatë hetimeve janë grumbulluar dëshmi të mjaftueshme që konfirmojnë përfshirjen e tyre në aktivitetin kriminal në rajonin përkatës. Operacioni është shtrirë në tri lokacione: një në fshatin Dumosh të Podujevës, një tjetër në Podujevë dhe tjetri në Prishtinë.

Gjatë bastisjeve, policia ka sekuestruar:

  • 810.5 gramë substancë të dyshuar si heroinë,
  • 137 gramë substancë të dyshuar si kokainë,
  • 9 gramë marihuanë,
  • një peshore për matje të narkotikëve,
  • dy vetura,
  • dy telefona mobil,
  • para të gatshme: 895 euro dhe 50 franga zvicerane.

Dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit kompetent.

Në një operacion tjetër të ndarë, njësitë relevante policore kanë arrestuar edhe tre persona të tjerë meshkuj, shtetas kosovarë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari të ngjashme të shitblerjes së narkotikëve.

Gjatë këtij aksioni, janë sekuestruar:

  • 12.1 gramë marihuanë,
  • një peshore,
  • katër telefona mobil,
  • para të gatshme në shumën prej 190 euro.

Pas intervistimit, dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i treti është liruar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës vazhdon hetimet dhe angazhimet në luftën kundër trafikimit dhe shpërndarjes së narkotikëve, duke bërë të ditur se aksione të tilla do të jenë të vazhdueshme.