Policia shpall në kërkim një të dyshuar për grabitje në tentativë
Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim një person të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Grabitja në tentativë”.
Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, përkatësisht Stacioni Policor i Podujevës, me autorizim të Prokurorisë Themelore – Departamenti i Përgjithshëm në Prishtinë, ka publikuar fotografinë e të dyshuarit me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të tij.
I dyshuari kërkohet në kuadër të hetimeve për rastin e “Grabitjes në tentativë”, i cili ka ndodhur më 11 gusht 2025, në një pompë derivatesh në fshatin Gllamnik, në komunën e Podujevës.
Policia ka kërkuar bashkëpunimin e publikut të gjerë, duke ftuar qytetarët që përmes informacioneve të tyre të ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarit, bazuar në tiparet fizike ose në lokalizimin e vendndodhjes së tij.
“Ne vlerësojmë lartë bashkëpunimin me komunitetin për një shoqëri pa krim dhe presim që informacionet tuaja t’i kontribuojnë identifikimit dhe arrestimit sa më të shpejtë të të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se çdo informacion mund të raportohet përmes kanaleve zyrtare:
- Tel: 192
- E-mail: [email protected]
- Facebook: Kosovo Police
- Aplikacioni: Lajmëro Policinë
Autoritetet garantojnë se informacionet e pranuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.